Teknologjia CCS për mbrojtjen e klimës – DW – 07/08/2013
  1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Teknologjia CCS për mbrojtjen e klimës

Gero Rueter/Pandeli Pani7 Gusht 2013

Energjia e rinovueshme është opsioni i vetëm për një industri të qëndrueshme evropiane të energjisë elektrike.

https://p.dw.com/p/19L6K
Fotografi: picture-alliance/dpa

Termocentralet emetojnë shumë dioksid karboni (CO2) që shkakton efektin serë. Duke përdorur të ashtuquajturën teknologji CCS - Carbon Capture and Storage - CO2 që përmbajnë këto emetime mund të veçohet dhe të depozitohet nën tokë. Megjithatë kjo teknologji është e diskutueshme, prandaj në vendet e BE-së projektet për teknologjinë CCS janë ndërprerë. Kështu edhe në Gjermani ku ka rezistencë të madhe nga politika dhe nga popullsia.

Studiuesit kërkojnë durim

Për ta kufizuar ngrohjen globale në dy gradë BE-ja dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) duan që teknologjia CCS të fillojë të përdoret sa më shpejt dhe që deri në vitin 2035 me këtë teknologji të jenë pajisur 30% e termocentraleve.

Profesor Manfred Fischedick, ekspert për CCS-së dhe zëvendësdrejtor i Institutit për Mjedisin, Klimën dhe Energjinë në Wuppertal, u rekomandon BEs-ë dhe IEA-së vetëpërmbajtje. Ato duhet të presin rezultatet e hulumtimeve. "Ka një ndryshim midis dëshirës dhe realitetit," thotë Fischedick në intervistë për DW, duke shtuar: "Unë nuk mund ta imagjinoj se deri në vitin 2020 ose 2025 teknologjia CCS do të jetë futur në shkallë të madhe në Evropë dhe botë. Kështu që unë mendoj se në këtë moment ka nevojë për më shumë realizëm. "

RWE Kraftwerk Niederaußem CCS-Anlage
Fotografi: RWE AG

Profesor Fischedick dhe kompania e energjisë RWE presin një kosto shtesë prej 60 deri në 80 përqind për kilovat orë, për stacionet e energjisë me teknologjinë CCS. Energjia elektrike nga një termocentral me qymyr që përdor teknologjinë CCS do të kushtojë të paktën 13 cent për kilovat orë dhe në Gjermani nuk mund të jetë konkurruese.

Claudia Kemfert, eksperte për klimën në DIW, shpreson se shifrat e vjetëruara mbi të cilat mbështetet BE-ja në politikën e saj të klimës duhen rishikuar dhe në skenarë duhet marrë parasysh edhe reduktimi i kostos së energjisë së rinovueshme. "Energjia e rinovueshme është opsioni i vetëm për një industri të qëndrueshme evropiane të energjisë elektrike të varfër nga C02", tha ekonomistja e energjisë në intervistë për DW.

RWE Kraftwerk Niederaußem
Fotografi: RWE AG

CCS për termocentralet e vjetra, industrinë dhe bioenergjinë

Fischedick rekomandon që teknologjia CCS të zgjerohet edhe në fusha të tjera të industrisë që prodhojnë shumën CO2, sepse vetëm kështu mund të arrihen qëllimet ambicioze për mbrojtjen e klimës. Prandj kjo teknologji duhet zhvilluar dhe për këtë arsye duhen sqaruar çështjet e pazgjidhura të sigurisë.

Në modelet e reja studiuesit po kombinojnë centrale me biomasë me CCS. Kjo bio-CCS është një mënyrë shtesë për të reduktuar emetimet e CO2 në atmosferë dhe ngrohjen globale. Një studim i tillë i kohëve të fundit po bëhet nga Instituti i Potsdamit për Kërkime për Klimën (IPK).