030511 Klimawandel CO2-Handel Korruption – DW – 05/05/2011
  1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

030511 Klimawandel CO2-Handel Korruption

5 Maj 2011

Ndryshimi i klimës po kthehet në një pazar me përfitim. Transparency International paralajmëron se korrupsioni po dobëson luftën kundër ndryshimit të klimës. Ky është përfundimi i raportit global prezantuar në Berlin.

https://p.dw.com/p/118OT
Fotografi: danishwindindustryassociation

Sipas përllogaritjeve të ndryshme deri në vitin 2020 do të investohen rreth 472 miliardë euro për të frenuar ndryshimet e klimës dhe pasojat e saj. Aty ku ka para, është shumë pranë edhe korrupsioni. Organizata Transparency International paralajmëron se korrupsioni dobëson luftën kundër ndryshimit klimaterik.

Duhet ta mbrojmë klimën edhe nga korrupsioni

Mashtrimi me çertifikatat për CO2 (dioksidin karbonik) dhe prerja ilegale e pyjeve janë dy shembuj të qartë të korrupsionit me klimën, që kritikon Transparency International në raportin e tij. Që të jemi të suksesshëm në luftimin e ndryshimeve të klimës, është i nevojshëm forcimi i mekanizmave të kontrollit, sqaron Edda Müller, drejtuese e organizatës Transparency International për Gjermaninë:

Aktualisht kemi në dorë mjete të shumta, fonde private apo publike për mbrojtjen e klimës. Mendojmë se është tepër e nevojshme që të intensifikojmë mbrojtjen e klimës, por nga ana tjetër duhet ta mbrojmë atë nga mashtrimi dhe korrupsioni. Kjo do të thotë që kemi nevojë për një transparencë të qartë të sistemeve të tilla."

Të 20 shtetet që janë të prekura drejtpërsëdrejti nga ndryshimet e klimës klasifikohen me afërsisht 3,6 pikë në indeksin e perceptimit të korrupsionit nga Transparency International, ku shkalla e pikëve radhitet nga 0 deri në 10, - dhe 0 nënkupton shkallën më të lartë të korrupsionit.

Tregti me certifikatat e CO2-t

Parimisht korrupsioni është i pranishëm aty ku mungojnë mekanizmat e kontrollit. Se sa aktraktiv është bërë tregu i klimës për korrupsionin, këtë e tregon edhe shpërndarja e çertifikatave të CO2- në sistemin e tregtisë së emetimeve në Bashkimin Evropian. Ka qenë shumë e kollajtë madje t'i vjedhësh çertifikatat, thotë Henry Derwent, drejtor i organizatës ndërkombëtare të emetimeve. "Standarti i sigurisë ka qenë i pamjaftueshëm. Disa qendra regjistrimi nuk kanë kryer madje asnjëherë kontrolle për grupet, të cilat donin të hapnin një konto për emetimet."

Baobab Bäume im Abendrot
Pemë baobabiFotografi: Bernhard Schurian

Por nuk janë vetëm vjedhjet që pengojnë zbatimin e masave për ruajtjen e klimës, por edhe manipulimi i paturpshëm me rregulloret e mbrojtjes së klimës. Industri të ndryshme mund t'i rrisin artificialisht emetimet, ose që nga fillimi të japin shifra të larta emetimi, me qëllim që më vonë të legjitimojnë reduktime në masë të madhe të CO2-t.

Pikërisht këto "kursime" të dioksidit karbonik (CO2) ato mund t'i shesin pastaj me fitim në tregtinë e emetimeve. Pra ajo që njihet si "Mekanizmi i zhvillimit të antindotjes" (Clean Development Mechanismus- CDM) i Protokollit të Kiotos, dhe që ishte menduar si kontribut i rëndësishëm për ruajtjen e klimës mund të kthehet në të kundërtën e vet.

Autor: Sarah Steffen/Lindita Arapi

Redaktoi: Mimoza ika-Kelmendi