Ndryshimet klimatike çojnë Merkelin në Grënlandë – DW – 17/08/2007
  1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndryshimet klimatike çojnë Merkelin në Grënlandë

Albrecht Breitschuh17 Gusht 2007

Angela Merkel nuk është e para që po shkon në Grëndlandë. Para saj atje kanë qenë politikane amerikane me emër si Nancy Pelosi apo Hillary Clinton apo presidenti i komisionit të BE-së José Manuel Barroso.

https://p.dw.com/p/BV8z
Pamje nga IlulissatiFotografi: picture-alliance/ dpa
undefined

Kancelarja gjermane Angela Merkel filloi sot një vizitë dyditore në Grënlandë për të parë me sytë e veta pasojat e ndryshimeve klimatike. Së bashku me kryeministrin danez Anders Fogh Rasmussen dhe atë grënlandez Hans Enoksen ajo do të bëjë një vizitë në fjordin e mbuluar nga akullnajat Ilulissat, që gjendet 250 km në veri të rrethit polar. Në këtë vizitë jo të zakonshme kancelarja shoqërohet prej ministrit gjerman të ambientit Sigmar Gabriel.

Në asnjë rajon tjetër të botës ndryshimet klimatike nuk mund të vërehen kaq qartë sa në Grënlandë. Këtë e ndjejnë në radhë të parë banoret e saj. Njeri nga ata është edhe Ove Viladsen. Ai i ka ende qentë e tij, por nuk del më për gjah. 57 vjeçari jetonte dikur prej gjuetisë. Sot, thotë ai një gjë e tillë ë shtë tepër e rrezikshme. Shtresa e akullit nuk është më aq e trashë sa të mund ta mbajë slitën e tij. Në vitet 80-të shtresa e akullit ishte rreth një metër e gjysmë kurse sot nuk është as 25. Moti ka pësuar ndryshime dhe kjo e mërzit Viladsen, sepse kush nuk shkon dot më për gjah nuk është burrë.

Në asnjë rajon tjetër të botës ndryshimet klimatike nuk mund të vërehen kaq qartë sa në Grënlandë. Për turistët ishulli më i madh i botës nuk duket të ketë humbur asgjë prej mrekullisë së tij, por grënlandezët e shohin vendin e tyre me sy të tjerë.

"Në dimër bregdeti këtu zakonisht është krejtësisht i ngrirë, por që prej tetë vjetësh nuk ka pasur më ngrica dhe akuj. Madje edhe në veri nuk ka më akull. Ngrohja globale këtu është mjaft e ndjeshme." tregon peshkatari Eduard Samuelsen.

Problematike është edhe shkrirja e akullnajave. Zvicerani Konrad Steffen, drejtor i një prej qendrave më të rëndësishme për studimin e ambientit në Colorado të ShBA-ve, i cili kalon çdo vit disa muaj në Grënladë tregon.

"I gjithë rajoni është në shembje, një kaos i madh. Uji që derdhet këtu çdo ditë në det prej shkrirjes së akullnajave i përgjigjet sasisë së ujit të pastër që përdor për një vit një qytet si Nju-Jorku."

Por shkaku për shkrirjen e akullit në Grënlandë nuk lidhet vetëm me ngritjen e temperaturave. Studiuesi Konrad Steffen sqaron se nëpër akullnaja janë krijuar xhepa përmes të cilëve rrjedh uji që shkrihet. ky ujë arrin deri në bazën e akullnajave duke shkaktuar shpërbërjen të tyre. Në rast se do të shkrinte i gjithë akulli i Grëndlandës niveli i detit do të rritej me shtatë metra.

Edhe pse ky skenar nuk është shumë realist, shumë politikanë e ndjejnë veten të detyruar ta shohin me sytë e tyre procesin e shkrirjes së akullnajave.

Angela Merkel nuk është e para që po shkon në Grëndlandë. Para saj atje kanë qenë politikane amerikane me emër si Nancy Pelosi apo Hillary Clinton apo presidenti i komisionit të BE-së José Manuel Barroso.

Akullnajave gjithësesi duket se nuk u bëjnë përshtypje vizita të tilla.