Mbrojtja e klimës në samitin e G8-ës – DW – 29/05/2007
  1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbrojtja e klimës në samitin e G8-ës

29 Maj 2007

Qeveria gjermane, që do të drejtojë samitin e G8-ës si kryesuse e radhës synon që javën e ardhëshme në Heligendam të arrihet në unanimitet lidhur me masat për mbrojtjen e klimës. Kjo është një temë mjaft e komentuar në shtypin e ditës.

https://p.dw.com/p/Ark4

Gazeta e Pocdamit "Märkische Allgemiene" i referohet pozicioneve të kundërta që kanë lidhur me politikën e klimës ShBA dhe qeveria gjermane: "Në mënyrë të pazakontë qeveria federale kritikon hapur pozicionin e ShBA ndaj mbrojtjes së klimës. Me sa duket me qeverinë e Bushit nuk është e mundur asnjë marrëveshje, që në një farë mënyre kërkon objektiva të detyrueshme për kufizimin e ngrohjes së Tokës dhe të dioksidit të karbonit që shkakton efektin serë. Të dyja këto pika janë relativisht të debatueshme në diskutimin evropian dhe të paktën pjesërisht ato mbështeten prej opozitës në ShBA. Ndaj në Heligendam më mirë do të ishte të pranohej mosmarrëveshja dhe të përmendeshin me emër ata që e bllokojnë mbrojtjen e klimës, se sa të formulohen kompromise të zbehta, që ndonëse mund të nënshkruhen prej të gjithëve, në fund nuk do t´i shërbejnë askujt."

Ndërsa komentatori i "Wiesbadener Kurier" rekomandon gjetjen e një formule për t´i bërë për vete ShBA në çështjen e klimës: "Vullneti i Merkelit për të negociuar me këmbëngulje ia vlen. Sepse pa ShBA nuk do të ketë sukses në mbrojtjen e klimës. Jo vetëm sepse Amerika është përgjegjëse për emisionet më të mëdha të dioksidit të karbonit në botë, por sepse pikërisht për këtë arësye ajo është e nevojshme për reduktimin efikas të sasisë së këtij gazi. Një tjetër aspekt i rëndësishëm është, sepse "mëkatarët në rritje" të mjedisit si Kina dhe India mund të bëhen për vete për një politikë të përbashkët vetëm përmes rolit pionier dhe shembullor të vendeve të industrializuara. Dështimi në Heligendam do të ishte sinjal i gabuar. E këtë s´mund ta ndryshojë Bushi i vendosur me shpatulla pas murit."

"Finantial Times Deutschland" komenton thuajse në të njëjtën linjë: "Samiti mund të dështojë, nëse qeveria gjermane nuk ia del që të frenojë dinamikën e vet jo fort pozitive që po zhvillohet tani. Veçanërisht sa i përket politikës për klimën kërcënon një dështim: ShBA po tregohen kryeneçe në bisedimet për masat e së ardhmes në mbrojtje të klimës. Nga ana tjetër edhe përpjekjet për një marrëveshje janë duke hasur në pengesa prej vet antarëve të qeverisë. Pavarësisht nga fakti, që emisionet e dioksdit të karbonit të ShBA vitin e kaluar janë ulur, ministri i mjedisit, Sigmar Gabriel nuk lë t´i shpëtojë rasti pa sulmuar qeverinë e ShBA duke e përkeqësuar kësisoj atmosferën e bisedimeve. Duket se qysh tani ka nisur debati për fajtorin nëse do të dështojnë bisedimet për klimën."

Ndërsa "Frankfurter Rundschau" e konsideron qysh tani të dështuar synimin për unanimitet mes të mëdhenjve lidhur me klimën: "A duhet t´i vëmë kryqin Heligendamit si një takim që veç bujës e trazirave nuk do të sjellë asgjë? Gati një javë përpara samitit të shtatë "mëkatarëve më të mëdhenj" të klimës dhe të Rusisë perspektiva është e zymtë. Për të mos thënë e errët. Qysh tani mund të thuash se ka marrë fund shpresa, se superfuqitë ekonomike, ShBA, Kanadaja, Japonia, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia bashkë me fuqinë e asocijuar të energjetikës në Lindje do të realizojnë kthesën në mbrojtjen e klimës. Kaq esëll duhen parë gjërat."