Luftërat Ballkanike përgatitën luftën e Parë Botërore – DW – 27/05/2014
  1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Luftërat Ballkanike përgatitën luftën e Parë Botërore

av/vfb (dpa)27 Maj 2014

Shumë premisa dhe forca nxitëse të Luftës së I Botërore u krijuan përmes dy luftërave ballkanike në vitet 1912 dhe 1913. Armiqësitë e asaj kohe vazhdojnë deri sot.

https://p.dw.com/p/1C7Zh
1. Balkankrieg 1912/13
Fotografi: picture alliance/akg-images

Nën udhëheqjen e Rusisë në vitin 1912 u krijua Lidhja Ballkanike: Serbia, Bullgaria, Greqia dhe Mali i Zi bënin luftë të suksesshme kundër Perandorisë Osmane të dobësuar. Ajo i humbi pothuajse të gjitha zotërimet e saj evropiane. Qindra e mijëra muslimanë u arratisën në Azinë e Vogël. Shqipëria u bë e pavarur, ndonëse pjesë të mëdha të territorit shtetëror të saj u pushtuan menjëherë nga serbët, grekët dhe malazezët.

Në verën e vitit pasues fituesit luftuan kundër njëri-tjetrit për ndarjen e plaçkës së luftës. Serbia, Greqia dhe Rumania dolën fituese ndaj Bullgarisë, e cila me përfitimet e saj territoriale ishte më shumë se e pakënaqur. Këto dy luftëra lokale përcaktuan edhe frontet në Luftën e Parë Botërore: Bullgarët dhe osmanët hynë në luftë në anën e Fuqive Qendrore, sepse ata besonin se në këtë mënyrë do të ishin në gjendje t'i lëviznin kufijtë e tyre. Serbia, Greqia dhe Rumania u bashkuan me Aleatët. Rusia cariste zgjodhi Serbinë si partner të preferuar dhe hodhi kështu themelet për një miqësie të thellë, e cila është konfirmuar përsëri në krizën aktuale në Ukrainë.

Trupat bullagre pushtojnë Adrianopulin (1912)
Trupat bullagre pushtojnë Adrianopulin (1912)Fotografi: picture-alliance / akg-images

"Angazhimi i intensifikuar në Serbi e impenjonte Rusinë për një konfrontim të drejtpërdrejtë me Austro-Hungarinë", e shpjegon historiani Christopher Clark raportin ndërmjet Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore: “U rrit vendosmëria e Austrisë për të ndalur pretendimet territoriale serbe."
"Fitoret e Serbisë në Luftërat Ballkanike forcuan në vend strukturat e ushtrisë në kurriz të politikës", analizon profesor Husnija Kamberovic nga Instituti i Historisë në Sarajevë ndikimin e luftërave ballkanike. "Gradualisht në Beograd u forcua bindja se kufijtë mund të zgjeroheshin me forcë, me luftë.”

Forcimi i Serbisë zemëron Austro-Hungarinë

Luftërat në gadishullin Ballkan bënë që monarkia e Habsburgëve të rrezikohej gjithnjë e më shumë nga brenda. Nëpërmjet fitoreve të saj Serbia nisi të mbështetej nga të “afërmit” e saj sllovenë dhe kroatë. Inteligjenca e këtyre popujve kërkonte në një farë mënyre më shumë të drejta të pjesëmarrjes së sllavëve në Austro-Hungari, për të zëvendësuar dualizmin e mëparshëm me të ashtuquajturin trializëm. "Kështu që nga viti 1913 në Vjenë rritej bindja, se larja e hesapeve me Beogradin është e pashmangshme", shpjegon Kamberoviç.

Balkankrieg Friedensvertrag London 30.05.1913
Marrëveshja e Paqes në Londër, 30.05.1913Fotografi: picture-alliance/akg-images

Në Luftërat Ballkanike Maqedonia ishte në qendër. Greqia, Serbia dhe Bullgaria kishin të njëjtat pretendime për ta marrë atë. Polemikat kombëtare, historike dhe politike të shtetit sot të pavarur të Maqedonisë me fqinjët vazhdojnë ende. Krimet e rënda të luftës të njësive serbe në 1912-1913, kryesisht ndaj shqiptarëve, krijuan një armiqësi, që çoi në situatë lufte në fund të viteve 90-të, që u ndërprenë vetëm nga bombat e NATO-s mbi Serbinë. Ideja e ilirizmit dhe më vonë e jugosllavizmit, e krijuar nga luftërat ballkanike, për bashkimin e të gjithë sllavëve të jugut në një shtet të vetëm, ka dështuar ndërkohë në mënyrë të përgjakshme. Jugosllavia e krijuar pas luftës së Parë Botërore u shpërbë në shtatë shtete. Sot askush nuk do të dijë më për idenë e fillimit të shekullit të kaluar për "vëllazërimin" dhe "farefisninë natyrore" të popujve të kësaj zone.