Klima, drejtësia, siguria- janë tema që lënë gjurmë në Berlin – DW – 30/08/2007
  1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Klima, drejtësia, siguria- janë tema që lënë gjurmë në Berlin

ADD30 Gusht 2007

Përfundimi i vizitës së kancelares Merkel në Kinë, zgjedhja e presidentit të ri të Turqisë dhe lirimi i pengjeve koreanojugore në Afganistan tërheqin vëmendjen e analistëve gjermanë të shtypit.

https://p.dw.com/p/BZS8
Kancelarja Merkel më 28.08 2007, in Nanjing me studentë
Kancelarja Merkel më 28.08 2007, in Nanjing me studentëFotografi: AP
undefined

Për bilancin e vizitës së kancelares Merkel në Kinë, në gazetën FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG ndër të tjera lexojmë:

"Angazhimet e suksesshme të kancelares në botën e jashtme janë kthyer edhe për opozitën gjithsesi të hutuar në një sfidë. Që në një udhëtim në Kinë të kënaqesh edhe pretendimet e Të Gjelbërve, është sidoqoftë një akt mjeshtëror, i cili nuk mund të shpjegohet vetëm me rrjedhën e vizitës...Zonja Merkel ndërthur politikën e jashtme me politikën e brendshme me kaq mjeshtëri, sa që askush nuk mund t'i thotë se bën pirueta të politikës së jashtme, për t'ju shmangur programit të politikës së brendshme. Klima, drejtësia, siguria- për aq kohë sa konjuktura vazhdon të jetë në këtë formë, janë tema që lënë gjurmë në Berlin si në fushatën elektorale. Përfitimi prej ndonjë rrezeje është bërë për Të Gjelbrit po kaq atraktiv, sa edhe për liberalët e FDP-së."

Kurse nga OSTTHÜRINGER ZEITUNG që del në Jera shkëpusim:

"Merkeli çoi në Pekin, jo pa shkak teknologjitë më të mira gjermane për mbrojtjen e klimës. Pikërisht këtu hapet një një treg i madh dhe natyrisht që premton fitime, në fund jo vetëm për të dyja palët, por me dobi globale. Që kancelarja kërkoi hapur respektimin e rregullave të lojës të marrëdhënieve ekonomike dhe respekt reciprok, që kritikoi piraterinë e produkteve dhe sulmet e hackerëve, që ajo nuk la pa përmendur temën e të drejtave të njeriut dhe rregulla bazë demokratike si liria e shtypit, këto udhëheqja kineze të paktën qe e detyruar t'i merrte në konsideratë. Ndryshime të shpejta me siguri që nuk priten. Por ai që nuk prek problemet, atij i shpëtojnë shanset për të arritur sukses."

Kancelarja Merkel me kryeministrin e Kinës Uen Zhibao
Kancelarja Merkel me kryeministrin e Kinës Uen ZhibaoFotografi: AP

Ndërrojmë temë: për lirimin nga talibanët, të pengjeve koreanojugore, në gazetën FINANCIAL TIMES DEUTSCHLAND që botohet në Hamburg ndër të tjera lexojmë:

"Qeveria e Koresë së Jugut theu me marrëveshjen me talibanët një tabu dhe u siguroi atyre një triumf, të cilin talibanët do ta shfrytëzojnë në mënyrë propagandistike. Eshtë vetëm një çështje kohe, deri kur ata të përpiqen sërish të arrijnë sipas të njëjtit model suksesin e radhës. Fare në krye të listës së viktimave potenciale do të jenë gjermanët, në fund të fundit, çdo spektator gjysëm i vëmendshëm e di se angazhimi gjerman në Afganistan ka gjithçka tjetër por jo mbështetje të gjerë në Gjermani. Dhe që qeveria e Berlinit, megjithë përgënjeshtrimet publike është e gatshme të bëjë lëshime, edhe nëse deri tani qe bërë fjalë kryesisht vetëm për para, dhe jo për lëshime politike."

Ngjashëm konkludon edhe analisti i LEIPZIGER VOLKSZEITUNG:

"Për herë të parë, një qeveri që ka trupa në Afganistan, bëri negociata direkte me talibanët. Tundimi, për ta përsëritur recetën e suksesit duhet të jetë në të njëjtën masë, me vështirësitë e ardhshme të qeverive perëndimore, për t'u rezistuar përpjekjeve për shantazh përmes rrëmbimeve të tjera. Ai që tani kritikon qeverinë e Koresë së Jugut, se mënyra e saj e veprimit u hap talibanëve rrugën për të ardhur në pushtet, ai tregon se nuk njeh realitetin. Nga njëra anë, luftëtarët islamikë kanë kohë që janë bërë faktor pushteti. Injorimi i tyre i plotë në botë, vërtet që mund të jetë korrekt nga ana etike, por ai nuk të ndihmon praktikisht. Nga ana tjetër, biznesi me pengjet nuk është shkaku i mirëfilltë i gjendjes së vështirë në Afganistan, por në rastin më të mirë një simptomë dhe shprehje për një angazhim të dështuar ndërkombëtar".

Pengje koreanojugore të liruara më 29.08.07
Pengje koreanojugore të liruara më 29.08.07Fotografi: AP

Dhe së fundi për zgjedhjet e presidentit të ri të Turqisë, në gazetën DER NEUE TAG që botohet në Vajden (Weiden) lexojmë:

"Ushtarakët edhe këtë hërë bënë naze, por nuk e penguan sërish zgjedhjen e Abdullah Gylit president të ri të vendit. Ata nuk mundën ta anashkalojnë faktin që partia e tij, AKP-ja, në zgjedhjet parlamentare mori 47 përqind të votave dhe që Gylin është shumë i dashur për popullin. Por kjo nuk do të thotë, se gjeneralët do të heshtin përgjithmonë."

Ja edhe mendimi i analistit të STUTTGARTER ZEITUNG:

"Qeveria e AKP-së dhe personi i tyre kryesor, Gyli, po e ndryshojnë shtetin turk edhe në themelet e tij, por ndryshe nga ajo për të cilën i akuzojnë kundërshtarët. Ata nuk e radikalizojnë këtë shtet, por po e modernizojnë. Nëse në fund ka më shumë liri, për gratë, për minoritetet etnike, për besimtarët, për mediet dhe për ekonominë, atëherë ky shtet mund të luajë si një demokraci e suksesshme islamike një rol unikal në botë."

Presidenti i ri i Turqisë Abdullah Gyl pas betimit
Presidenti i ri i Turqisë Abdullah Gyl pas betimitFotografi: picture alliance/dpa