Klima dhe energjia në qendër - Tetori Gjerman 2011 në Tiranë – DW – 30/09/2011
  1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Klima dhe energjia në qendër - Tetori Gjerman 2011 në Tiranë

Vilma Filaj-Ballvora30 Shtator 2011

Filloi tetori gjerman 2011 në Tiranë, duke shënuar edicionin e tij të pestë. Ky edicion vjen me një konceptim të ri. Në qendër të tij nuk janë vetëm çështjet e mprehta të përballimit të ndryshimeve klimatike.

https://p.dw.com/p/12jgh
Logoja e tetorit gjerman
Logoja e tetorit gjermanFotografi: DW / Cama

Tetor 2007. Orkestra e mirënjohur sinfonike "Henrich Heine" e Dyseldorfit jep koncert në Tiranë me pjesë nga krijimtaria e Beethoven-it për të hapur  edicionin e parë të Tetorit gjerman ne Shqiperi. Festimi i një përvjetori të rëndësishëm në marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Shqipërisë, 20 vjetori i lidhjes së marrëdhënieve diplomatike mes tyre ishte rasti i duhur për të hapur rrugën e fillimit të organizimit edhe në Shqiperi të Tetorit Gjerrman, një muaj argëtimi dhe njohjeje e publikut shqiptar me kulturën gjermane.

Edicioni i parë do të ndiqej nga të tjerë, lejtmotivet e të cilëve do të pasqyronin ngjarje historike epokale që ndikuan tek të dyja vendet si 20 vjetori i rënies së Murit të Berlinit, përballimi i të shkuarës së përbashkët komuniste, përvojat respektive nën diktaturë për të ardhur tek Edicion i sivjetëm, i pesti i Tetorit Gjerman.

Risia e 2011-s

I mbështetur mbi përvojat që edicionet e mëparshme krijuan ky edicion sjell risi në konceptimin dhe dizenjimin e tij duke qënë i pari që hap një perceptim tjetër. Projekti i Tetorit të sivjetëm gjerman kalon nga festimi i përvjetorëve dhe ngjarjeve historike në çështje të mprehta aktuale europiane dhe gobale.

Harald Schindler, atashe kulturor i Gjermanisë në Shqipëri
Harald Schindler, atashe kulturor i Gjermanisë në ShqipëriFotografi: DW

Harald Schindler, Atasheu për Kulturën dhe Mediat, njëherazi edhe drejttor i këtij projekti flet për programin shqip të DW lidhur me moton e tij të re. "Për edicionin e pestë të "Tetorit gjerman" ne dëshëronim të niseshim nga diçka tjetër, nga diçka e re. Me  moton "Klima- Energjia- Ndryshimi" ne shohim në çështje të së ardhmes si "ndryshimet klimatike", "energjitë e rinovueshme" dhe "efikasiteti i energjisë", thotë Z.  Schindler

Klima dhe energjia – në krye të axhendave botërore

Kjo zgjedhje dhe risi nuk erdhi rastësisht. Aksidenti në centralin bërthmor të Fukushimës në Japoni, ndotja e Gjirit të Meksikës me naftë e sollën në rend të ditës çështjen e ndryshimeve klimatike dhe të enegjive të rinovueshme edhe pse ato ishin edhe më parë në në krye të axhendave botërore. Në këtë axhendë nuk mungon as Gjermania, as Shqipëria.  Kjo e fundit prodhon më tepër se  90% të energjisë së saj elektrike nga burime të rinovueshme dhe ka një potencial të madh në këtë drejtim. Por pasojat e ndryshimeve klimatike kanë mbërritur tanimë edhe në Shqipëri.

"Disa studime të Bankës Botërore kanë vënë në dukje që Shqipëria është një nga vendet e rajonit më të prekshme, më vulnerabël nga efektet e ndryshimeve klimatike. Madje disa nga pasojat e ndryshimeve klimatike mund të vëzhgohen që tani: temperaturat mesatare priren të rriten, dhe po shtohen rastet e ngjarjeve ekstreme të natyrës. Pasojat do të ndihen psh në fushën e energjisë dhe të bujqësisë. Për një periudhë afatgjatë një furnizim i qëndrueshëm dhe i sigurtë nga pikëpamja e mjedisit mund të sigurohet vetëm përmes burimeve të rinovueshme të energjisë. Kjo do të jetë një nga  sfidat më të mëdha të shekullit të 21 të"  Harald Schindler.

Kultura nuk mungon në tetorin gjerman
Kultura nuk mungon në tetorin gjermanFotografi: Arben Muka

Klima dhe energjia në ekspozitat e tetorit gjerman

Në fitoren e kësaj sfide globale Gjermania merr përsipër një rol të rëndësishëm. Me përballimin e ndryshimeve klimatike. "Gjermania ka për qëllim të shndërrohet në një nga vendet e botës me sistemin më efikas dhe të qëndrueshmë nga pikpamja mjedisore, ndërkohë që synon të mbajë çmimet e energjisë në një nivel konkurrues dhe të ruajë edhe nivelin e saj të lartë të mirëqënies. Tanimë  Gjermania ka një reputacion të shkëlqyer në fushat e ndryshimeve klimatike dhe të energjive të rinovueshme."

Projekte-ide lidhur me përballimin e ndryshimeve klimatike dhe promovimin e prodhimit të energjisë nga burime të rinovueshme do të paraqiten gjatë javëve të Tetorit gjerman 2011. Ekspozitat, "Të rinovueshmet- Made in Germany", dhe tjetra "Uji është e ardhmja" përgatitur nga Bashkëpunimi ndërkombëtar teknik gjerman, GIZ. Ndërkohë shoqata ambientalist REC dhe Fondacioni gjerman Hans-Seidel do të organizojnë  me studentët projekte të ndryshme që lidhen me eficencën  e energjisë dhe mjedisin.

Përsëri kulturë dhe argëtim

I ngritur mbi traditën e edicioneve të mëparshme, edicionit të sivjetëm nuk kasesi t'i mungojë një komponente që mbetet thelbësore: sjellja e kulturës gjermane tek publiku shqiptar. Gjatë javëve  të tij do të shfaqet premiera e operas "Fyelli Magjik" të Moxartit, e cila  hap sezonin operistik 2011/2012, do të jepen koncerte edhe në kuadër të serisë vjetore, "Klasik".

Qendra e Gjerrmanishtes, strukturë e Institutit Goethe në Shqipëri ka organizuar shfaqjen e filmave që të dy popujt i kanë  përjetuar: jeta midis dy botëve, kërkimi i identitetit . Pa harruar "Oktober fest" ose "Festën e Birrës" që bashkon shqiptarë dhe gjermanë, të  organizuar nga DIHA  Shoqata gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Lindita Arapi