Klima dhe energjia në axhendën e ministrave të jashtëm të BE-së – DW – 05/03/2007
  1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Klima dhe energjia në axhendën e ministrave të jashtëm të BE-së

Bernd Riegert5 Mars 2007

Fillon sot në Bruksel takimi i ministrave të jashtëm të BE-së. Në axhendën e takimit ndër të tjera gjendja në Lindjen e Mesme dhe në Sudan

https://p.dw.com/p/AqXc
Takim i ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel
Takim i ministrave të jashtëm të BE-së në BrukselFotografi: AP

Qysh prej shumë vitesh gjendja në rajonin sudanez të krizës, Darfur është në rendin e ditës të ministrave të jashtëm të BE-së. Por gjithnjë e më shumë këto raunde japin shkas për zhgënjim, sepse të 27 ministrat e vendeve anëtare nuk mund të arrijnë shumë. Gatishmëria për t´iu kundërvënë "genocidit që po ndodh gradualisht" në këtë rajon me mjete ushtarake, sipas diplomatëve gjermanë është e pakët. Në vend të kësaj ministrat e jashtëm rregullisht tërheqin vëmendjen ndaj misionit të paqes që synon OKB-ja, gjë që vazhdimisht pengohet prej qeverisë sudaneze.
Pa aprovimin e qeverisë nuk do të ketë angazhim të ushtarëve helmetkaltër në Darfur, thonë diplomatët e BE-së në Bruksel.

Ministrat e jashtëm sërish do të ankohen për faktin, që organizatat e ndihmës dhe OKB-ja nuk kanë më asnjë akses tek qindra mijë refugjatët, që janë dëbuar prej milicëve pro-qeveritarë. Vlerësohet se vitet e fundit dhjetëra mijë njerëz janë vrarë ose janë dëbuar prej të ashtuqaujturve milicët kalorës. Financimi i misionit të paqes të Unionit Afrikan, që mbështetet prej BE-së është i garantuar deri në fund të marsit.
Për planin dhe përgatitjen e një misioni të përzier vëzhgues të përbërë nga forca të Unionit Afrikan dhe të OKB-së nevojiten rreth 200 milionë euro.

Pothuajse të paaftë për një zgjidhje janë ministrat e jashtëm të BE-së edhe sa i përket procesit të paqes në Lindjen e Mesme. "Ne do të diskutojmë mbi gjendjen, gëzohemi, që kuarteti i Lindjes së Mesme do të mblidhet sërish dhe do do të shtrojë pyetjen, se si duhet vazhduar më tej", thuhet në qarqet e këshillit të ministrave në Bruksel. Por kjo gjendje është e trishtueshme. Përshëndetet krijimi i një qeverie të re palestineze me pjesëmarrjen e Hamasit dhe fraksioneve të lëvizjes së moderuar Fatah.

Ministrat e jashtëm të BE-së insistojnë po ashtu si kuarteti i ndërmjetësuesve për Lindjen e Mesme, që qeveria palestineze të njohë Izraelin dhe rezultatet e bisedimeve të deri tanishme. Vetëm pas kësaj është i mundur dialogu zyrtar me qeverinë palestineze. Hamasi klasifikohet prej BE-së si organizatë terroriste.

Ndihmat financiare të BE-së për palestinezët do të shtohen, pavarësisht nga embargoja kundër qeverisë. Kjo e fundit ndonëse nuk do të marrë ndihma direkte financiare, BE-ja do të lëvrojë katër vitet e ardhshme përmes rrugëve të tërthorta me programet e ndihmave të OKB-së 264 milionë euro për palestinezët në nevojë. Kjo shumë përbën 7% më shumë se deri më sot, vuri në dukje komisionerja e BE-së për politikën e jashtme, Benita Ferrero-Valdner. Përveç kësaj BE-ja jep ndihma direkte për rreth 150 000 familje në Jordanin Perëndimor dhe në Rripin e Gazës. Si rrjedhojë nuk mund të thuhet, se BE-ja i ka lënë në baltë palestinezët, deklaroi përfaqësuesi i politikës së jashtme të BE-së, Havier Solana në takimin e fundit me presidentin palestinez Mahmud Abbas.

Ministrat e jashtëm të BE-së përveç kësaj do të përgatisin edhe samitin e kryetarëve të shteteve dhe qeverive të vendeve antare, që do të zhvillohet në Bruksel në fund të javës. Nën drejtimin e kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel, krerët e BE-së do të merren edhe me problemin e mbrojtjes së klimës dhe politikën energjetike. Eshtë e paqartë nëse të hënën do të arrihen rezultate konkrete lidhur me pakësimin e gazrave të efektit serë. Aq më pak të sigurta janë premtimet e detyrueshme lidhur me aplikimin e më shumë burimeve të energjive alternativë.

Komisioni i BE-së synon reduktimin me 20% të emisioneve të dioksidit të karbonit deri në vitin 2020. Nëse ShBA, Australia, India, Kina dhe Brazili e të tjerë vende që ndikojnë dukshëm në ndotjen e atmosferës, do të bashkëveprojnë, atëherë kuota e reduktimit mund të jetë edhe 30%. Këto qëllime i ka përqafuar presidenca gjermane e BE-së. Sipas një diplomati të BE-së "tashmë janë përcaktuar qëllime ambicioze, veçse varet se sa do t´i kushtojnë rëndësi kësaj çështjeje ministrat e jashtëm". Vendet anëtare, që çlirojnë pak dioksid karboni, rezistojnë ndaj këtyre vendimdeve.

Nga ana tjetër shtetet që përdorin qysh tani energjitë e rigjenerueshme kanë rezerva ndaj planeve edhe më ambicioze në këtë drejtim. Ndaj është e diskutueshme nëse qëllimet për klimën do të do të përcaktohen në përgjithësi për të 27 vendet anëtare, apo do të ketë marrëveshje për antarët në veçanti.