Harmeling: Kërkohet zgjidhje për klimën – DW – 16/07/2012
  1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Harmeling: Kërkohet zgjidhje për klimën

Irene Quaile/Aida Cama16 Korrik 2012

Në një takim jozyrtar ministrat nga 35 vende duan t' i japin shtysë mbrojtjes së klimës. Bisedime të tilla janë të rëndësishme, por rezultate nuk pritet të ketë, thotë Sven Harmeling nga organizata Germanwatch.

https://p.dw.com/p/15YJX
Sven Harmeling
Sven HarmelingFotografi: DW

DW: Dialogu i Petersberg-ut për klimën zhvillohet kësaj herë në Berlin nën moton "Më shumë ambicie për mbrojtjen ndërkombëtare të klimës". Për çfarë do të bëhet fjalë atje?

Sven Harmeling: Një temë e rëndësishme e takimit jozyrtar të ministrave është pyetja si mund të mbyllet hendeku që ekziston midis asaj që duhet të bëjmë për mbrojtjen e klimës për kufizimin e rritjes globale të temperaturës, dhe premtimeve të deritanishme për mbrojtjen e klimës? Është e qartë se hendeku është shumë i madh. Nëse vazhdohet me premtimet si deri tani, atëherë mund të përfundojmë në rritjen e temperaturës në katër gradë apo më shumë në një kohë kur është rënë dakord që ajo të mbesë deri në dy gradë. Tema qëndrore e takimit do të ketë të bëjë me gjetjen e rrugëve në këtë drejtim, gjetjen e hapave të tjerë që duhen hedhur.

DW: Si paraqitet Gjermania?

Konferenca për klimën në Bon.
Çfarë pritet nga ky dialog?Fotografi: AP

Harmeling: Gjermania paraqitet mirë, sepse shumë vetë në botë kanë parë se Gjermania ka vendosur synime shumë ambicioze me kthesën energjetike dhe ka vendosur të mos përdorë më energjinë atomike. Këto vendime shihen edhe me skepticizëm. Nëse kjo nuk ka rezultate të mira atëherë do të kemi efekte negative në përpjekjet në mbrojtje të klimës të vendeve në ekspansion ekonomik.

DW: Cilat vende shihen si shembuj të mirë në çështjen e mbrojtjes së klimës?

Harmeling: Një vend me shumë ambicie është për shembull Norvegjia. Por ka edhe vende të vogla në zhvillim, si Maledivet apo Kosta Rika, të cilat synojnë që në 15 vitet e ardhshme të kthehen në vende neutrale për ambientin. Dhe duhet parë se shumë nga ato që ndodhin në Kinë janë ambicioze, për shembull në ngritjen e energjive të renovueshme.

DW: SHBA mbetet një problem i madh si edhe më parë …

Harmeling: Po, SHBA janë politikisht shumë të vështirë. Këtë e tregojnë edhe diskutimet për ndryshimin e klimës. Qeveria e Barak Obamës ka shumë pak hapësirë veprimi, kështu është për fat të keq në këto momente.

DW: I rëndësishëm është një plan veprimi për marrëveshjen për mbrojtjen e klimës. Ku ndodhemi aktualisht në këtë pikë?

Harmeling: Në Konferencën për klimën të zhvilluar në Durban është rënë dakord që deri në vitin 2015 të diskutohet një marrëveshje e re për klimën. Takimi i Petersberg-ut është tani një rast i mirë për të folur për këtë. Ajo që u arrit në Durban ishte ndryshimi i situatës ku "vende e industrializuara ishin kundër vendeve në zhvillim" dhe bashkimi i gjithnjë e më shumë vendeve që kërkojnë arritjen e një marrëveshje ambicioze.

Intervistën e zhvilloi Irene Quaile-Kersken