Gjermani: Klima e konsumit përmirësohet – DW – 24/02/2023
  1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Klima e konsumit përmirësohet

24 Shkurt 2023

Ndjenja e konsumatorit gjerman për blerje ka vazhduar të përmirësohet, kryesisht për shkak të çmimeve më të ulëta të energjisë.

https://p.dw.com/p/4Nw8B
Panairi i bicikletave Frankfurt 2022
Fotografi: Arne Dedert/dpa/picture alliance

Për shkak të pakësimit të frikës nga recesioni, klima e konsumit në Gjermani po përmirësohet për të pestin muaj radhazi. Konsumatorët e vlerësuan situatën ekonomike dhe pritjet e të ardhurave për ta dukshëm më pozitivisht se herën e kaluar, sipas studimit të klimës së konsumatorit të firmës kërkimore të konsumatorit GfK nga Nurembergu.

Nga ana tjetër, prirja për blerje, pra gatishmëria për të bërë blerje të mëdha të pajisjeve teknike si kamera apo frigoriferë, pa vetëm rritje të vogla dhe u luhat në këtë të fundit.

"Pesimizmi po zbehet dukshëm"

Anketuesit e GfK parashikojnë një rritje prej 3.3 pikësh në barometrin e konsumit në mars në minus 30.5 pikë -niveli më i lartë që nga korriku 2022. "Pavarësisht nga krizat e vazhdueshme si lufta në Ukrainë, një ekonomi globale që lëkundet si dhe nga normat e larta të inflacionit, klima te konsumatorët mund të rritet ndjeshëm sërish”, tha eksperti i GfK-së, Rolf Bürkl.

Panairi i bicikletave Frankfurt 2022

Në këtë mënyrë, atmosfera në blerje vërtet mbetet në një nivel të ulët, por ndodhet qartësisht në rrugën e përmirësimit. "Pesimizmi i konsumatorëve, i cili arriti kulmin në vjeshtën e vitit të kaluar, po zbehet dukshëm," tha Bürkl. Në periudhat e para krizës, niveli i klimës së konsumatorit ishte relativisht konstant, në rreth plus dhjetë pikë.

Inflacioni mbetet i lartë

Inflacioni vërtet që u rrit në janar duke arritur 8.7 për qind, kundrejt 8.1 për qind në dhjetor. Por ngrohja dhe furnizimi me karburant, megjithatë, kushtojnë tani më pak. "Rënia e fundit e çmimeve të energjisë, por edhe raportet se më në fund mund të shmanget një recesion në Gjermani këtë vit, sipas ekspertëve, bëjnë që të kthehet optimizmi, shumë ngadalë”, tha GfK. Megjithatë, konsumi privat vështirë se duhet të stimulojë ekonominë këtë vit.

Panairi i bicikletave Frankfurt 2022
Fotografi: Arne Dedert/dpa/picture alliance

Frika nga recesioni zbehet

Pothuajse të 2000 konsumatorët e anketuar e vlerësuan më tej për të pestin muaj radhazi perspektivën e të ardhurave të tyre më optimiste. "Megjithatë, konsumatorët gjermanë duhet të presin një zhvillim negativ të të ardhurave të tyre reale të disponueshme”, shpjegoi GfK. Në të vërtetë, inflacioni në vitin 2023 pritet të jetë pak më i lartë se rritja e pritur e të ardhurave të familjeve.

Për të katërtin muaj radhazi, konsumatorët kanë një vlerësim më të mirë të perspektivës ekonomike. Me sa duket, konsumatorët kanë llogaritur që recesioni ekonomik të shmangej ngushtë në vitin 2023.

aud (tgsch, dpa)