121111 Kyoto Durban kurz – DW – 29/11/2011
  1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

121111 Kyoto Durban kurz

29 Nëntor 2011

Pas spektaklit mediatik me rastin e konferencës së klimës në Kopenhagen dy vjet më parë, rreth temës "klima" ka rënë qetësia. Por situata nuk është shtensionuar. Për çfarë negociohet në Durban?

https://p.dw.com/p/13IeC
Konferenca për klimën në Durban
Konferenca për klimën në DurbanFotografi: dapd

Në konferencën për klimën në Afrikën e Jugut vendoset për të ardhmen e protokollit të Kiotos. Protokolli i miratuar në vitin 1997 në qytetin japonez Kioto, është deri më sot e vetmja marrëveshje e vlefshme ndërkombëtare, e cila i detyron shtetet t'u përmbahen objektivave konkretë për reduktimin e emetimit të gazrave, që shkaktojnë efektin serrë.

Por deri tani në protokollin e Kiotos janë përcaktuar vetëm objektiva reduktimi për vendet e industrializuara dhe vetëm për intervalin kohor 2008 deri 2012. Për kohën pas së ashtuquajturës "periudhë e parë obliguese", nuk është përcaktuar asnjë objektiv.

Fundi i Kiotos?

BE dhe një numër vendesh në zhvillim e në ekspansion industrial si Kina, Brazili dhe Afrika e Jugut, janë për zgjatjen e protokollit. Por vende të tjera si Japonia, Kanadaja dhe SHBA këmbëngulin për ndryshimin e protokollit të Kiotos me një marrëveshje të gjerë për klimën, e cila u vë detyrime dhe vendeve në ekspansion industrial. Kundërshtarët e Kiotos kritikojnë se protokolli kufizon vetëm emetimet e vendeve të industrializuara. Vendet në ekspansion, të cilat kontribuojnë gjithnjë e më shumë në emetimin e gazrave të efektit serrë, sipas protokollit të Kiotos mund të vazhdojnë të rriten pa asnjë frenim.

Pavarësisht nëse protokolli i Kiotos do të zgjatet apo jo, për mbrojtjen e klimës ka rëndësi vendimtare që vitet e ardhshme të reduktohet sasia e gazrave të efektit serrë në atmosferë. Për të ndryshuar këtë tendencë, edhe vendet e jugut duhet të angazhohen më shumë mendon Sven Harmeling nga organizata joqeveritare Germanwatch:

Vullneti politik për reduktimin e emetimeve është shumë i vogël
Vullneti politik për reduktimin e emetimeve është shumë i vogëlFotografi: Thaut Images - Fotolia.com

"Duhet të kuptojmë se jetojmë në një botë të ndryshme nga ajo e 15 vjetëve më parë, kur u miratua protokolli i Kiotos. Vendet në ekspansion janë tani vendet ku konstatohet rritja më e madhe e emetimit të gazrave të dëmshëm dhe nuk do të jetë e largët dita kur edhe vendet në zhvillim do të jenë përgjegjëse për pjesën më të madhe të emisioneve. Vende si Japonia apo SHBA thonë se do të pranojnë vetëm një marrëveshje, në të cilën edhe vendet në ekspansion të vihen para të njëjtave detyrime ligjore si dhe vendet e industrializuara."

Cilat janë kritikat?

Më e vonëta që prej samitit të Kopenhagës dy vjet më parë, ku më shumë se 120 kryetarët e shteteve dhe qeverive nuk ia dolën të arrinin një rezultat konkret, shumë aktivistë për mbrojtjen e klimës janë skeptikë. Nga njëra anë shtetet kanë deklaruar se do të kufizojnë në 2 gradë ngrohjen globale. Nga ana tjetër objektivat e deritanishëm për reduktimin e emetimeve nuk janë të mjaftueshme, thotë Sven Harmeling:

"(...) Aktualisht jemi në një shteg që na sjell një rritje temperature prej 3,5 deri 4 gradësh. Këto temperatura do ta ndryshojnë shumë Tokën që njohim ne tani. Dhe kjo mund të ndodhë vërtet në dhjetëvjeçarët e ardhshëm. Kjo do të thotë se trysnia për të vepruar është shumë e madhe, ndërkohë që vullneti është i ndryshëm dhe në pjesën më të madhe të vendeve, për fat të keq shumë i vogël."

Thatësira në Etiopi - pasojat e ndryshimit të klimës ndihen që tani
Thatësira në Etiopi - pasojat e ndryshimit të klimës ndihen që taniFotografi: picture-alliance/Ton Koene

Ndihmat financiare për vendet në zhvillim

Përparime ka të paktën në çështjen e ndihmave financiare. Kështu është rënë dakord që nga viti 2020 vendeve në zhvillim do t'u vihen në dispozicion çdo vit 100 miliardë dollarë. Se ç'formë do të ketë ky financim, do të diskutohen në Durban.

Përfaqësues afrikanë si Mohamed Adow nga Ndihma Kristiane (Christian Aid) shpresojnë që në konferencën në Afrikën e Jugut të ketë më shumë interes për shqetësimet e kontinentit, i cili është i prekur veçanërisht fort nga ndryshimi i klimës.

“Kemi parë që kanë munguar reshjet dhe të korrat. Kemi parë njerëz të etur dhe të uritur, të cilët duhet të bëjnë rrugë të gjata në këmbë. Mediet tregojnë vazhdimisht për njerëz të prekur nga fenomenet ekstreme të motit. Çfarë duhet të presim ende, kur që tani ndiejmë pasojat e ndryshimit të klimës? A nuk ka ardhur koha që njerëzit ta marrin më në fund seriozisht këtë temë?"

Pasi ndryshimi i klimës nuk mbetet në vend kur negociatat nuk përparojnë, paralajmërojnë shkencëtarët.

Autor: Johannes Beck / E. Xhani

Redaktoi: Aida Cama