Ditët e para të 2008-ës me mot te keq dhe bllokime rrugësh – DW – 02/01/2008
  1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ditët e para të 2008-ës me mot te keq dhe bllokime rrugësh

Arben Muka/ Tiranë2 Janar 2008

Situatë më e rënduar është në Pukë, ku janë bllokuar jo vetëm rrugë rurale, por dhe ato në afërsi të qytetit të Fushë-Arrëzës. Policia kërkon nga drejtuesit e automjeteve të vendosin zinxhirë për evitimin e aksidenteve.

https://p.dw.com/p/Cj7B
Fotografi: AP

Fillimi i këtij viti ka shënuar ulje të temperaturave dhe reshje dëbore. Si pasoje e ngricave është vështirësuar kalimi i automjeteve në aksin rrugor Tiranë - Elbasan, ku mjetet po qarkullojnë me zinxhirë për arësye sigurie. Sipas burimeve nga Ministria e Brendshme, shërbimet e policisë rrugore janë në gatishmëri për normalizuar trafikun, sikundër dhe për të parandaluar raste të aksidenteve nga moti i keq. Një segment problematik mbetet dhe ai që të çon në Doganën e Qafë- Thanës, në kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, ku nga ngrirja e dëborës janë krijuar terrene rrëshqitëse, që shkaktojnë rreziqe serioze për automjetet.

Sipas departamentit te emergjencave në Ministrinë e Brendshme, rrjeti i rrugëve lokale në mjaft zona rurale të vendit mbetet i bllokuar, veçanërisht në pjesën verilindore në rajonet e Pukës, Kukësit, Dibrës, Hasit, Tropojës etj. Sipas vlerësimeve që kanë bërë ekspertët e departamentit, gjendje më e rënduar është në Pukë, ku izolimi nga dëbora dhe ngricat ka ndodhur jo vetëm në pjesët rurale, por dhe pranë qytetit të Fushë Arrëzës.