Planeti nën trysni – DW – 26/03/2012
  1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Planeti nën trysni

26 Mars 2012

Popullsia e botës rritet, burimet pakësohen, planeti gjendet nën trysni. Si do të vazhdohet në Tokë? 3.000 ekspertë do të kërkojnë nga e hëna për zgjidhje në një konferencë në Londër.

https://p.dw.com/p/14S8E
Fotografi: picture-alliance/beyond/Tips RF

2012 është viti i "Rio+20". Në qershor mbushen 20 vjet nga samiti për Tokën, në të cilin u përcaktuan direktivat e zhvillimit të Agjendës 21 dhe u arrit konventa e OKB-së për klimën dhe biodiversitetin. Shumë vetë shpresojnë që samiti i fundit në Brazil të shënojë një pikë kthese në përpjekjet ndërkombëtare për zhvillim të qëndrueshëm dhe të drejta të barabarta në ndarjen e resurseve të planetit Tokë.

Edhe një konferencë?

Në muajt para "Rio+20" nuk mungojnë kongreset dhe veprimtaritë mbi temat e zakonshme si zhvillimi i qëndrueshëm, ndryshimi i klimës, energjia, uji apo sigurimi i ushqimit. Kështu edhe në Londër, ku nga 26 deri 29 marsi do të diskutojnë nën titullin "Planeti nën trysni" rreth 3.000 ekspertë.

A nuk mund të lindë këtu njëfarë lodhjeje prej konferencave, e cila në fund bllokon efektin e të gjitha diskutimeve dhe propozimeve për zgjidhje? Rreziku nuk mund të mohohet tërësisht, thotë eksperti i mjedisit Steffen Bauer i Institutit Gjerman për Politikë Zhvillimi (DIE). Dallimi i madh me konferencat e tjera është, se "Planeti nën trysni" është një veprimtari shkencore dhe jo politike, thotë ai. "Përveç kësaj, do të jenë të pranishëm edhe shumë fitues të çmimit Nobel. Kjo të jep shpresë, që rekomandimet në fund të konferencës do të dëgjohen më pas prej politikës", thotë Bauer. "Jo, nuk ka lodhje nga konferencat", thotë natyrisht edhe Mark Stafford Smith i entit shkencor australian CSIRO. Stafford Smith është njëri nga dy kryetarët e veprimtarisë "Planeti nën trsyni". Edhe në rast se konferenca "Rio+20" nuk mbërrin në rezultate konkrete, kjo konferencë e OKB-së mbetet "forumi ideal për t'iu përveshur politikisht problemeve rreth zhvillimit të qëndrueshëm", thotë Smith në bisedë me Deutschen Wellen. Prandaj, muajt para konferencës së Rio-de-Zhanejros ai i sheh si momentin ideal për një konferencë tjetër të përmasave të mëdha. Synohet të ofrohen në mënyrë aktive zgjidhje, thotë ai.

Kufizimi i burimeve natyrore të Tokës diskutohet në Londër
Kufizimi i burimeve natyrore të Tokës diskutohet në LondërFotografi: picture alliance / dpa

Sfida dhe metoda zgjidhjeje

Për këtë arsye, motoja e konferencës nuk të habit: "Knowledge towards Solutions" - të përdorësh dijen për të gjetur zgjidhje. Aktiviteti, i cili organizohet nga Royal Society dhe disa organizata, ka synimin ambicioz, që të mos trajtojë vetëm një aspekt të caktuar, po transformimin global në tërësi.

"Ne duam të kalojmë nëpër mend përparimet shkencore të dhjetë viteve të fundit dhe të përcaktojmë agjendën e dhjetë viteve të ardhshme për temën e transformimit global", thotë Stafford Smith, i cili është edhe drejtor shkencor i autoritetit shkencor australian. Ndryshimi i klimës është vetëm një prej sfidave gjigante, para të cilave qëndrojnë ndërkohë shtatë miliardë vetë. Shfrytëzimi i sforcuar i burimeve natyrore, ndotja e mjedisit dhe hiperaciditeti i deteve janë sfidat e tjera.

Natyrisht, të gjitha këto nuk janë të reja, thekson Bauer, i cili merr pjesë gjithashtu në konferencë. Por, shton ai, shkëmbimi shkencor është i rëndësishëm, si dhe formulimi i opsioneve të veprimit, të cilat më pas mund t'u paraqiten vendimmarrësve politikë (para Rio+20). "Jam optimist dhe i interesuar të shoh se ç'do të dalë nga Londra. Pjesa që mbetet, është spekulim", thotë Steffen Bauer.

Autor: Irene Quaile/Elert Ajazaj

Redaktoi: Lindita Arapi